SHARE

Në programin Fol me Mua, Fol me Ata, të Enkel Demit, në TVSH, mbrëmjen e së premtes u fol për organizimin e Miss-it të parë shqiptar.

Të ftuar në studio ishin prezantuesi i Miss Albania-s 1991, Blendi Gonxhe dhe skenaristi Engjëll Ndocaj, i cili bashkë me regjisoren Vera Grabocka është marrë me të gjithë organizimin e këtij spektakli që ishte një revolucion i vërtetë për kohën. Vështirësitë kanë qenë të shumta, mentaliteti i përgjithshëm nuk i favorizonte, financat dhe mundësitë edhe më pak, megjithatë si Ndocaj dhe Grabocka ishin të vendosur për ta realizuar këtë spektakël. “Na jepnin kurajë vetë vajzat, të cilat vërshuan për të marrë pjesë. Dëshira dhe pjesëmarrja e tyre ishte në kundërshtim me realitetin”, ka thënë Ndocaj në studion e Enkel Demit.

Dhe kështu ky grup vazhdoi me seriozitet maksimal, projektin për të organizuar konkursin e parë të bukurisë në Shqipëri.

“Ne ishim një komision që përzgjidhte vajzat. Në spektakël morën pjesë 24, por erdhën 50 apo dhe më shumë fillimisht. Pavarësisht mungesave, ne po e bënim gjithçka në mënyrë shkencore. Një bashkëpunëtorja jonë, femër sigurisht, u merrte përmasat trupore me një metër rrobaqepësie. Kishim marrë edhe një peshore të vogël në Ambulancë. E morëm nja 3 herë atë peshore, sa herë kishim faza përzgjedhëse, sepse nuk kishim ku gjenim tjetër. Ndërsa vajzat sfilonin para komisionit me rrobat e tyre të banjës. Ato nuk e kishin problem. Më kujtohet që në seancën e fundit përzgjedhëse, kishin ardhur pesë vajza. Katër të parat dhanë emrin dhe sfiluan. Ndërkohë ne pamë edhe vajzën e pestë, që ishte shumë simpatike. Dhe i thamë “po ti pse nuk e jep emrin?”. “Po unë kam ardhur të shoqëroj shoqen time, Aidën”, tha ajo. “Po pse nuk merr pjesë dhe ti? Ti je shumë e bukur”, këmbëngulën ne. Ajo ishte e drojtur. U përtyp dhe u përtyp, pastaj tha “Po, unë nuk kam rroba banje.” “Po mirë merrja shoqes dhe dil”, këmbëngulëm ne. Dhe ajo ia mori shoqes, doli, ishte shumë e bukur dhe ne kërkuam ta regjistronim. Ajo na e dha emrin. Ishte Valbona Selimllari”.

Një histori me të vërtetë shumë e bukur! Dhe meqë po flasim për sfilata me rroba banje, edhe në spektakël, vajzat kanë qenë të veshura me rrobat e tyre të banjës. Engjëll Ndocaj ka treguar edhe historinë e gjetjes së veshjeve.

“Kishim menduar gjashtë sfilata. E para do ishte me ato që I quanim fustane mbrëmjeje. Këto ua kërkuam që vajzat t’i sillnin vetë. Tjetra ishte me kostume popullore. Ato na I siguroi një zonjë që ishte shumë e apasionuar pas veshjeve popullore dhe kishte hapur në atë kohë një dyqan te Rruga e Durrësit. I solli të gjitha, vetë, pa asnjë pagesë, në atë kohë kur fjala “publicitet” as nuk ekzistonte. Për rrobat e banjës kishim porositur dikë që do na I sillte nga jashtë. Ai kishte marrë përmasat e të gjitha vajzave dhe i prisnim një ditë para spektaklit në provat gjenerale. Por ato që solli ai ishin kostume gjimnastike. Nuk e kam parë asnjëherë Verën aq keq. Ishim vetëm një ditë para spektaklit. Më pas, Vera porositi çdo vajzë që të sillte nga tre palë rroba banje të nesërmen, në provën e fundit dhe ajo zgjodhi një palë. Vajzat u veshën, me rrobat e tyre të banjës në spektakël, të zgjedhura nga Vera, por të sjella nga ato vetë”.

Gjithë këto pengesa, përfshirë edhe bisedimet e gjata për të marrë skenën dhe sallën e Pallatit të Kongreseve, shpjegojnë pse spektakli që nisi të organizohej në gusht të vitit 1991, u bë gati për transmetim në 31 janar 1992. Këtë detaj shumë e kanë harruar. Miss Albania 1991 është transmetuar në vitin 1992. IMG_2742

Ishin vite të vështira, por edhe pse shumë thoshin që nuk ishin vite për spektakle bukurie, ky staf dhe ato vajza treguan që ishin. Aq më tepër, që Miss Albania, Valbona Selimllari mbetet një nga femrat më të bukura të Shqipërisë, ndërsa Valbona Çoba e renditur e dyta në Miss Albania 91, u bë më pas një modele e njohur edhe jashtë Shqipërisë.