SHARE

Këtë të mërkurë u mbyll edicioni i dytë i “Tirana Art Fest” dhe dhjetëra gjimnazistë të kryeqytetit u vlerësuan me çmime të ndryshme, pas një rrugëtimi që kaloi në të gjitha gjimnazet e Tiranës.
Të rinjtë shpalosën talentet e tyre në shumë zhanre, si: këngë, kërcim, aktrim dhe kostumografi, por ajo çka ra në sy dhe u vlerësua ishte interpretimi i nxënëses së gjimnazit “Asim Vokshi”, Bertila Bruka e cila përveç talentit, tregoi se me punë e përkushtim mund të arrihet çdo gjë.
Në një intervistë të dhënë për redaksinë online të Ora News, Bertila Bruka na rrëfen se ajo u gjet në këtë aktivitet jo rastësisht, por pas një punë disavjeçare që ajo ka bërë në mënyrë që talentin që ka ta perfeksionojë.
Bertila na tregon se kur jetonte në qytetin e Kukësit, qyteti ku ajo u lind dhe ndoqi ciklin fillor, është aktivizuar në dhjetëra aktivitete.
-Bertila, fillimisht të urojmë për fitoren dhe së dyti, donim të denim, kush është Artistja më e Mirë e këtij aktiviteti, meqë u kurorëzove me këtë çmim?
Bruka: Edhe unë i’u falenderoj për intervistën. Të jem e sinqertë me Ju, unë nuk jam rastësisht në këtë zhanër dhe jo rastësisht edhe u vlerësova me këtë çmim nga juria e këtij aktiviteti. Unë aktualisht studioj në gjimnazin “Asim Vokshi” dhe prej vitesh jam munduar që të punoj për talentin që kam, duke e kultivuar akoma më shumë, sigurisht pa lënë pas edhe mësimet. Jam njohëse e tre gjuhëve të huaja (anglisht, gjermanisht dhe Italisht), dhe kam talent edhe në pikturë, ku pikturat e mia janë ekspozuar disa herë tek qendra e kulturës dhe medies së mbrotjes.
-Kjo do të thotë se Ju keni kënduar edhe herë të tjera?
Bertila: Patjetër, kënga ka qenë dhe mbetet pasioni im më i madh. Për këtë, unë prej vitesh kam frekuentuar në qytetin tim të lindjes, Kukës. Prej 3-vitesh unë ndjek kursin e kitarës, madje kam konkurruar dhe dola fituese në Liceun Artistik, por vendosa që të ndjek gjuhët e huaja, meqë gjuha e huaj është një tjetër pasion i imi. Ndërkohë, kam ndjekur paralelisht edhe kursin në Qendrën Kulturore të Ushtrisë si këngëtare me instruktorë: Ervin Bushatin, Redon Makashin dhe Kozma Dushin.
– Cili ka qenë moment yt më i bukur, por edhe më i vështirë në këtë konkurs?
Bertila: Momenti më i mirë ka qenë padyshim kur emri im u thirr për t’u kurorëzuar si “Artistja e re më e mirë”, dhe unë fillimisht kam qëndruar disa sekonda e shtangur, pasi nuk e besoja. Por, më pas mblodha veten dhe vajta në skenë për të marrë çmimin. Ndërsa më i vështiri, ka qenë momenti kur kam kënduar për herë të fundit në këtë konkurs, pasi aty mu duk sikur kisha një peshë shumë të madhe mbi vete, duke qenë se shkolla ime përfaqësohej në këtë zhanër nga unë dhe sigurisht, ishte një përgjëegjësi e madhe. Aty kam marrë frymë thellë dhe vendosa të jap maksimumin tim.
-Tani që gjithçka ka përfunduar, si e shikoni gjithë organizimin e aktivitetit, a u arritën pritshmëritë?
Bertila: Ideja e një spektakli të tillë ishte mjaft e arritur dhe më vjen shumë mirë që shumë të rinjë patën mundësinë të shfaqin talentin e tyre, qoftë në kërcim apo në këndim. Unë mendoj se të rinjtë duhet të angazhohen në të tilla aktivitete, pasi kanë se çfarë të japin dhe aty tregojnë talentet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Mendoj se për secilin konkurent, pritshëmritë u arritën, pasi çdo njëri prej tyre u vlerësua pa bërë dallime të ndryshme.
Në “Tirana Art festë”, çmimi i parë në këngë shkoi për Rea Nuhun, Artisti i ri më i mirë u shpall Bertila Bruka, ndërsa grupi më i mirë në Këngë u shpall ai i gjimnazit “Qemal Stafa”. Ndërsa, grupi më i mirë në kërcim u shpall gjimnazi “Ismail Qemali” dhe në “Hip Hop” gjimnazi “Partizani”.
Një risi për këtë edicion ishte edhe pjesëmarrja e shkollave dhe gjimnazeve të zonave rurale, ku për herë të parë grupi më i mirë Folk u shpall ai i shkollës “Ibrahim Hasmema”, Petrelë, ndërsa grupi më i mirë i djemve ai i shkollës “Sadik Stavileci”, Kashar.