SHARE

Dollapi juaj i ushqimeve është i mbushur me shërues të fuqishëm farmaceutik. Provojini këto ushqime para se ta përdorni ndonjë tabletë dhe do t’i zbuloni ilaçet më efektive natyrale.

Mjalti kundër dhimbjes së fytit

Studimet kanë zbuluar se mjalti ndihmon në rastin e dhimbjes së fytit. Kjo sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me karakteristikat antioksiduese dhe antibakteriale të mjaltit. I përzini dy lugë të vogla me mjaltë në ujë të ngrohtë ose në çaj të bimëve dhe e pini çdo dy tri orë sipas nevojës. Disa studime sugjerojnë se mjalti manuka që prodhohet në Australi dhe Zelandë të re nga një pemë me të njëjtin emër dhe llojet më të errëta mund të kenë karakteristikat më të forta antibakteriale.

Kivi kundër pagjumësisë

Nëse nuk mund të flini atëherë kjo pemë mund t’ju ndihmojë që të bini më shpejt në gjumë. Hulumtuesit në një universitet të Tajvanit kanë zbuluar se femrat që kanë ngrënë dy kivi një orë para kohës së fjetjes për një muaj kanë rënë në gjumë për 14 minuta më shpejt dhe kanë fjetur më gjatë dhe më mirë sesa ato që nuk kanë ngrënë kivi. Ngrënia e pemës së gjelbër para fjetjes i rrit nivelet e serotoninës, neuro-transmetueses që nxit gjumin dhe që ofron një biletë të shpejtë drejt botës së ëndrrave.

Farat e kungullit kundër migrenës

Nëse vuani nga migrena atëherë është mirë që ta konsumoni një grusht me fara të kungullit. Janë të pasura me magnez, mineral ky mungesa e të cilit është e shpeshtë te personat me frekuencë të rritur të migrenës. Thuhet se nivelet e ulëta të magnezit mund ta rrisin ngushtimin e enëve të gjakut rreth trurit, gjë që kontribuon në dhimbjet e kokës. Për t’i reduktuar, provoni që të konsumoni një të katërtën e një filxhani me fara kungulli për çdo ditë, sasi kjo që ofron rreth gjysmën e nevojave tuaja për magnez.

Bajamet kundër stresit post-menstrual

Nëse cikli mujor ju bën të çmendeni, zgjidhja mund të jetë të konsumoni më shumë bajame. Një studim në ‘American Journal of Clinical Nutrition’ ka zbuluar se femrat që kanë konsumuar më shumë riboflavinë nga burimet ushqimore si bajamet kanë pasur për 35 për qind më pak gjasa që të zhvillojnë stresin post-menstrual, sesa ato që kanë konsumuar sasi më të vogla. “Riboflavina është përfshirë në përforcimin e disa neuro-transmetuesve që mund të jenë të përfshirë në reduktimin e simptomave të stresit post-menstrual”, ka thënë autorja e studimit Elizabeth Bertone-Johnson. Rreth 40 bajame ofrojnë më shumë sesa 30 për qind të nevojave tuaja për riboflavinë.

Fasulet kundër thartirës së lukthit

Ato me të vërtetë janë të mira për sistemin tuaj të tretjes. Një studim në zhurnalin ‘Gut’ ka zbuluar se njerëzit që kanë konsumuar më shumë fibra kanë pasur për 25 për qind më pak gjasa që të kenë simptoma të sëmundjes së urthit, kthimit të thartirës nga lukthi. “Fibrat mund të ndihmojnë në dërgimin e ushqimit në lukth më shpejt, duke reduktuar kështu mundësinë e urthit”, ka thënë hulumtuesi i studimit Hashem B. El-Serag, nga fakulteti i mjekësisë Bejlor.

Xhenxhefili kundër dhimbjeve të muskujve

Nëse keni dhimbje të muskujve pas ushtrimeve atëherë konsumoni xhenxhefil. Një studim i publikuar në ‘Journal of Pain’ ka zbuluar se personat që kanë ngritur pesha kanë pasur një reduktim për 25 për qind të dhimbjeve pas ushtrimeve pas konsumimit të dy gramëve të xhenxhefilit të papërpunuar për çdo ditë për një javë e gjysmë, në krahasim me ata që nuk e kanë konsumuar fare. Ekspertët thonë se meritorë për këtë janë antioksiduesit me emrin gingerolë, që kanë karakteristika kundër inflamacioneve të ngjashme me ilaçet si ibuprofeni.