SHARE

Zakonisht pacientët kronikë që çdo ditë marrin terapi dhe medikamente, ose vetëm përkohësisht marrin ndonjë ilaç, e shfrytëzojnë gjysmën e tabletës që ta marrin dozën përgjysmë.

Ndarja e ilaçeve mund të bëhet vetëm nëse rekomandohet në udhëzimin shoqërues të medikamenteve, ose nëse një gjë të tillë jua këshillojnë mjekët tuaj.

Por, farmacistët në asnjë mënyrë nuk e rekomandojnë këtë praktikë, por këshillojnë që tabletat të mos ndahen.

Tabletat janë të mbështjella me qëllim, që të parandalohet shkrirja e barnave në stomak. Madje, ato mbrojnë stomakun nga përbërësit agresivë të barnave.

Me ndarjen e disa barnave, doza nuk ndahet në mënyrë të drejtë, ndërsa tek disa ilaçe të mbështjella me më shumë shtresa, me ndarje ndryshohet komplet veprimi i barnave dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

Farmacistët këshillojnë se disa barna mund të thyhen, veçanërisht ato të cilat kanë vijë të shtypur, edhe pse ekzistimi i vijës nuk është shenjë e sigurt se tableta duhet të ndahet përgjysmë.